Sëmundjet e Lindura të Zemrës
Dr. Medical Polyclinic
Dr. Medical Polyclinic
Në Dr. Medical Polyclinic, ne i kushtojmë një vëmendje të veçantë sëmundjeve të lindura të zemrës, të cilat janë të shumta në numër. Për të përqendruar informacionin, do të përmendim ato që hasen më shpesh, siç janë vrimat e lindura të zemrës dhe ngushtimet e enëve kryesore të gjakut. Disa prej tyre janë:
Llojet e Sëmundjeve të Lindura të Zemrës
- Defekti Interatrial – vrimë në ndarësen midis dy veshoreve.
- Defekti Interventrikular – vrimë në ndarësen midis dy barkusheve.
- Kanalet Atrioventrikulare – vrimë në planin valvular.
- Ngushtimet e arterieve kryesore të zemrës si:
- Stenoza e Aortës
- Stenoza e arteries së mushkërive
- Koarktacioni i Aortës – ngushtimi i theksuar i Aortës jashtë zemrës.
- Tetrada Fallot – një vrimë e madhe midis barkusheve dhe një ngushtim i rëndësishëm i enës që çon gjakun në mushkëri.
- Sëmundje të tjera të rralla dhe të komplikuara – që në shumicën e rasteve nuk arrijnë të zgjidhen në mënyrë përfundimtare.
Ankesat
Fëmijët që kanë vrima në zemër, zakonisht nuk shprehin ndonjë shqetësim, dhe diagnostikimi i tyre mund të bëhet krejt rastësisht. Për këtë arsye është e domosdoshme që çdo fëmijë të kryejë një TTE (Eko të Zemrës) pas lindjes për të përjashtuar një sëmundje të lindur të zemrës. Disa nga këto sëmundje, si vrimat në veshore, nuk japin as zhurma kur zemra dëgjohet me stetoskop, për këtë arsye TTE është vendimtare.
Në rastet me Tetradë Fallot, fëmija përveçse ka zhurmë të shprehur në zemër kur dëgjohet me stetoskop, mund të ketë edhe:
- Nxirje të buzëve.
- Nxirje të gishtave dhe thonjtë si “xham sahati.”
- Marrje fryme.
- Lodhje.
- Qëndrimi në një pozicion të caktuar – “galiç.”
- Ndryshime në analizën e gjakut.
Diagnoza
TTE (Ekokardiografi Trans-Torakale Triplex) është e domosdoshme për të parë funksionimin e zemrës dhe lëvizshmërinë e mureve të saj. Me anë të TTE vëzhgohen shumë mirë vrimat në zemër, duke përfshirë:
- Pozicionin e tyre.
- Madhësinë.
- Ndikimin në madhësinë dhe funksionimin e zemrës.
Gjithashtu, me anë të TTE mund të vëzhgohen dhe vlerësohen:
- Valvulat e zemrës.
- Enët e gjakut që dalin nga zemra.
- Enët e gjakut që hyjnë në zemër.
Nga rezultati i TTE varet edhe trajtimi i mëtejshëm i fëmijës. E rëndësishme është se sa më shpejt të diagnostikohet një sëmundje e lindur e zemrës aq më efikas është trajtimi.
Trajtimi
Trajtimi varet gjithmonë nga diagnoza dhe mund të përfshijë:
- TTE periodike
- Trajtim me medikamente
- Ndërhyrje kirurgjikale – e cila konsiston në:
- Qepjen e vrimës.
- Mbylljen e saj me arnë (copë nga cipa e zemrës së vetë fëmijës).
- Zgjerimin e ngushticave.
- Në disa raste, vendosjen e valvulave artificiale.
Në rastet kur diagnoza vendoset me vonesë, fëmija mund të bëhet i paoperueshëm për shkak të rritjes së presioneve të gjakut në anën e djathtë të zemrës dhe në mushkëri. Në disa raste mund të përballemi me sëmundje të lindura edhe tek të rriturit, të cilët mund të jenë pacientë të diagnostikuar vonë dhe që nuk kanë pasur probleme serioze ose i kanë neglizhuar ato.
Parandalimi
Parandalimi ka gjithmonë lidhje me Mjekun Obstetër Gjinekolog, si dhe me Mjekun Kardiopediatër që kryen Eko të Zemrës së fetusit (Eko Kardiake intrauterine – para lindjes së fëmijës). Ka të bëjë gjithashtu me ndërgjegjësimin e gruas shtatëzanë për të mbajtur një regjim të caktuar para dhe gjatë shtatëzanisë si dhe kryerjen e një sërë analizave dhe ekzaminimeve gjatë gjithë periudhës së shtatëzanisë.
KUJDES! Teksti në këtë faqe është shkurtuar dhe thjeshtësuar për t’u bërë më i kuptueshëm nga pacienti mesatar. Ai ka si qëllim informimin e publikut dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të zëvendësojë konsultat mjekësore të specializuara.